Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim kryesuesit e Ekipit Negociator të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.
Presidenti Thaçi ka biseduar me kryesuesit e Ekipit Negociator për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Zyra e Presidentit.
“Presidenti Thaçi me bartësit e Ekipit Negociator të Kosovës kanë biseduar edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të koordinimit përgjatë procesit të bisedimeve dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila Kosovës duhet t’i sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin për shtyp.
“Ky momentum duhet shfrytëzuar dhe është e nevojshme të forcohet edhe më shumë uniteti politik dhe të flitet me një zë për Kosovën”, citohet të ketë thënë Thaçi.
“Kjo ishte edhe kërkesa e qartë e presidentit Trump për lidershipin e Kosovës, të cilën ne duhet ta respektojmë, sepse është në përputhje të plotë me interesin tonë shtetëror”.