Presidentja Osmani mbrëmë e goditi Vuçiqin, Haradinaj reagon i thotë diçka për Kurtin

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Presidenten Vjosa Osmani, pas reagimit të mbrëmshëm që bëri pasi Serbia dhe Rusia arritën marrëveshje për gazin.

Haradinaj ka thënë se Osmani po e “vajton” marrëveshjen Vuçiq-Putin për gazin rus, e po heshtë për refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan nga kryeministri Kurti.

“Presidentja e vajton marrëveshjen Vuçiq-Putin për gazin rus e e heshtë JO-në e Kosovës (e thënë nga KM Kurti) për gazin amerikan?!? Ec e bjeri në fije!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë mbrëmë se Bashkimi Europian nuk mund të injorojë më rrugën shkatërruese që ka marrë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas saj, Vuçiq është rreshtuar me një kriminel lufte. 

“Vendimi i qëllimshëm i Vuçiqit për të marrë anën e Rusisë është një goditje për perspektivat e Serbisë për të ecur në rrugën e BE-së. Ai ka zgjedhur të bashkohet me një kriminel lufte dhe të financojë luftën e Putinit, mbi një Evropë të bashkuar, paqësore dhe të begatë. BE nuk mund të injorojë më rrugën shkatërruese që ka marrë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndryshe, Vuciq së fundi lidhi marrëveshje me Putinin për gazin, në një kohë kur bota perëndimore ka ngritur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Të ngjashme