Presidentja tha se Borell ka pranuar të bëjë “propozim për heqjen e masave”, në Bruksel thonë se s’ka asgjë të re

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka hyrë në vitin e ri 2024 nën masa të Bashkimit Evropian. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se për këtë çështje ka folur gjatë dhjetorit me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell, i cili sipas saj, ka pranuar që të hartojë një propozim për atë se si t’i hiqen ato Kosovës. Gazetën Express ka kërkuar një përgjigje në Bruksel, por ata kanë thënë se në këtë fazë s’kanë asgjë për të thënë duke referuar tek konkluzat e Këshillit të BE-së. Aty thuhet se masat mund t’i hiqen Kosovës në momentin që do t’i plotësojë kërkesat e 3 qershorit të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell.


Për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti sa i përket Veriut dhe refuzimit të ndërmarrjes së veprimeve për de-eskalim, Bashkimi Evropian më 28 qershor ka marrë disa masa kundër Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Krerët e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi i kanë cilësuar si të padrejta dhe joproporcionale dhe kanë kërkuar që të hiqen. Për heqjen masave BE ka kërkuar nga Kosova plotësimin e disa kushteve, që lidhen me de-eskalimin e ku përfshihen reduktimi i njësive speciale në Veri, largimi i kryetarëve të 4 komunave atje dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Në konkluzionet e Këshillit të BE-së të miratuara në dhjetor është konstatuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen në momentin që do të plotësohen kushtet e përmendura nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, të publikuara më 3 qershor.

Edhe përkundër këtij konstatimi të Këshillit, gjatë vizitës së saj në Bruksel më 13 dhjetor, gjatë paraqitjes para gazetarëve, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar që të hiqeshin masat ndaj Kosovës meqë sipas saj janë marrë të gjitha masat për de-eskalim të situatës.

“Erdha këtu me një numër mesazhesh, duke përfaqësuar kosovarët, fillimisht për të bërë thirrje tek liderët e BE-së që menjëherë t’i heqin masat joproporcionale dhe jo të drejta, sepse Kosova ka marrë të gjitha masat për de-eskalim situatën dhe besoj se BE-ja duhet t’i heq ato masa sepse po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, sepse po flasim për projekte për ujin e pijes, menaxhimin e mbeturinave, dhe projekte që ndikojnë direkt në jetën e tyre”, ka thënë presidentja Osmani.

Lidhur me këtë deklaratë të presidentes, BE në një përgjigje zyrtare për Express s’kishte pranuar që të komentojë duke referuar tek konkluzionet e Këshillit të BE-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë për RTV 21 ka përmendur një zhvillim të ri, ku siç është shprehur ajo, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së i ka premtuar se do të hartojë një udhërrëfyes për atë se si mund t’i hiqen masat Kosovës. Shefja e shtetit ka thënë se do të mundohen të bëjnë presion pozitiv që një propozim i tillë të ndodh sa më shpejt.

“Në takimin e fundit në kuadër të Samitit BE-Ballkan Perëndimor, kam insistuar të përfshihet një rrugë e qartë se si hiqen masat, dhe më këtë kërkesë pastaj është caktuar ajo rrugë në konkluzionet e Këshillit të BE-së ku ia kanë dhënë këtë të drejtë që Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell që ai ta bëj propozimin për heqjen e masave dhe pas propozimit të tij ato të hiqen. Z.Borell më ka premtuar se do ta bëjë këtë propozim. Ne vazhdimisht do të bëjmë presion pozitiv, nëse mund ta quaj, që ky propozim të vijë shumë shpejt”, ka thënë Osmani për RTV 21.

Por a do ta bëjë Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, një propozim të tillë ku Kosovës do t’i tregohet rruga se si hiqen masat. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Bashkimi Evropian kanë thënë se s’kanë asgjë për të shtuar në këtë fazë, duke përmendur qëndrimin e fundit të tyre që referon tek konkluzionet e Këshillit.

“Nuk kemi asgjë për të shtuar për këtë çështje në këtë fazë në përgjigjen që ju dhamë muajin e kaluar”, ka thënë Zoi Muletier për Gazetën Express.

Republika e Kosovës nga 28 qershori zyrtarisht është nën masa të Bashkimit Evropian. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se aleatët kanë përgatitur edhe masa shumë më të ashpra ndaj Kosovës dhe individëve, por që sipas saj, falë punës si presidente diçka e tillë është parandaluar./GazetaExpress/

Të ngjashme