Procesi zgjedhor ka pasur dallime të konsiderueshme në komunat me shumicë shqiptare dhe komunat me shumicë serbe të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është vlerësimi që ka dhënë Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian me rastin e prezantimit të gjetjeve preliminare mbi zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Derisa në komunat me shumicë shqiptare u lejua gara konkurruese dhe mjedisi i fushatës ishte i qetë, në komunat me shumicë serbe, ambienti i fushatës u dëmtua nga kërcënimet brenda komunitetit serb, duke i vënë në shënjestër subjektet politike jashtë Listës Serbe. Kjo përfshinte presionin mbi kandidatët individualë për t’u tërhequr dhe për ta kufizuar konkurrencën politike.