Pretendohet për dëm 601 mijë euro, Muja: Dosja e prokurorisë ka gabime elementare

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka reaguar pas publikimit të Dosjes së Prokurorisë, ku pretendohet se rezervat shtetërore janë dëmtuar për afro 601 mijë euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KOHA, është thënë se janë sjellë në Kosovë 52.5 tonë grurë më pak se që janë paguar, ndërsa nuk është sjellë fare sasia prej 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogramë sheqer, për të cilat janë paguar avanc.

Të premten Prokuroria Speciale ka arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, drejtorin e Divizionit për Rezerva Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica. Po ashtu u arrestua biznesmeni Ridvan Muharremi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, në një postim në Facebook, ka reaguar ndaj pretendimeve të Prokurorisë. Ai ka thënë se dosja e prokurorisë ka gabime elementare. Madje ka thënë se në dosje “ose mungon një shpjegim shtesë ose prokurori se di matematikën elementare, pasi shuma e pretenduar do të duhej të ishte 301,384 euro e jo 601 mijë euro”.

Muja ka thënë se nuk janë të vërteta pretendimet se është shkelur procedura e prokurorimit, e as se është kufizuar konkurrenca.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro). Çmimi i negociuar i grurit dhe vajit – është brenda margjinēs së çmimeve në berzë gjatë mars 2022 (460-500 për ton). Çmimi i negociuar në kontratën e MINT ka qenë 484 euro për ton. Në rast se në çmim është përfshirë edhe transporti, mund të jetë kontratë shumë e favorshme për atë kohë. Çmimi i vajit të negociuar ishte afërsisht 1.1 euro – më lirë se çmimi në tregun e Kosovës në atë kohë. Për rikujtim çmimi i vajit në Kosovë ato ditë kishte shkuar në 3.49 euro për litër”., ka shkruar Muja në Facebook.

Ai ka thënë se Dosja e Prokurorisë nuk specifikon afate kohore se kur duhej të arrinte malli, e nuk specifikohet nëse ka të bëjë me vonesë apo mungesë. Ai ka thënë se “vetëm prokurorët e gjykatësit në Kosovë e kanë luksin e kohës”. Ai ka thënë se “duhet përqendruar te firma që nuk e ka liferuar mallin”.

“Për vonesa aplikohen penalet. Në rast se firma nuk ka sjellur mallin sipas kontratës iniciohet procedura e rikthimit të mjeteve – gjë që MINT e ka bërë. Është herët të konkludohet se është dëmtuar buxheti. Është e rëndësishme të luftohet për çdo kokërr grurë që i takon qytetarëve. Për secilin pretendim të Prokurorit ka shpjegime alternative. Zyrtarët mund të kenë iniciuar procedurë të përshpejtuar jo për të shkelur ligjin, por për të siguruar rezervat në mungesë të ofertave të mëhershme dhe nevojës për të siguruar miell. Kishte panik furnizimi në atë kohë. Vetëm prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë e kanë luksin e kohës. Çmimet e negociuara janë sipas tregut. Rrjedhimisht duhet përqendruar te firma që nuk e ka liferuar mallin. Këtu është çështja”, ka shkruar Muja.

Muja ka thënë se dosja e prokurorit ka “gabime elementare”.

“Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare. Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare. Çka nëse vjen malli nesër, pas një jave apo muaji? Motivi për të stërpikur apo ‘luftuar puritanizmin e VV’ nuk është vetëm i opozitës. A dëgjohen eksponentët e PLAN që kanë shitur tokat bujqësore (2 euro ari), kanë vjedhur subvencionet e grurit dhe kanë shterur rezervat duke mbajtur ders?” – ka shkruar Muja.

Të ngjashme