Anëtari i kryesisë së Alternativës, Hasan Preteni, ka mbajtur konferencë për medie me temën “Sistemi i drejtësisë, defektet dhe ndryshimet që duhen bërë”, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se gjyqësori në vend është i kapur nga politika dhe korrupsioni është i lartë.
Preteni thotë për 20 vjet liri dhe 11 vjet shtet, asnjë zyrtar i lartë nuk është gjykuar për korrupsion.
“20 vjet liri dhe 11 vjet shtet asnjë zyrtar i lartë nuk është gjykuar për korrupsion. Në fakt është gjykuar një prokuror i cili ka filluar të hetojë aty ku s’është dashtë. Dhe një prokurore e cila kur përfundoi lënda u kthye në Kosovë. Se si politika e ka kap gjyqësorin flasin faktet, 3 arrestime ndodhën bombastike por ato ndodhen për ta mashtruar Brukselin dhe për t’i marrë vizat”, ka thënë Preteni.
Ai ka kërkuar nga Kuvendi që ta realizojë misionin e tij dhe të ftojë të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura për raportim.
“Alternativa kërkon nga Kuvendi që të realizon misionin e vet, të gjithë të ftohen për raportim, mbi 50 institucione të pavarura t’i nënshtrohen kontrollit të qytetarëve dhe Parlamentit”, tha ai.
Preteni tha se Vettingu është i domosdoshëm në fushën e drejtësisë.
“Vettingu i duhet policëve, gjyqtarëve, prokurorëve të gjithëve, duhet kërkuar e kaluara e tyre dhe të hetohen rezultatet e punës. Verifikimi i pasurisë, si është fituar pasuria. Kemi nevojë për Vetting tek gjyqësori”, tha Preteni, raporton EO.
Ai ka kërkuar që Kosova ta ketë edhe Ligjin për Integritetin, me të cilin ligj do i pamundësohej cdo personi që bënë shkelje të mos jetë pjesë e institucioneve.
“Alternativa kërkon Ligj për Integritetin, që të gjithë personat që bëjnë shkelje të mos jenë pjesë e institucioneve. Integritet do të thotë të mos jesh i korruptuar”, tha ai.
“Deklarimi i pasurisë, konfiskimi, deklarimi i rrejshëm. Këta po i ndryshojnë ligjet vetëm me kriju përshtypje se po e luftojnë korrupsionin, por nuk ka asgjë në këtë drejtim. Vitin e kaluar është miratuar Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, në atë kohë është kërkuar të mos u lejohet zyrtarëve të mos punojnë në punën e dyta, të jenë anëtar të bordeve dhe ka qenë e sanksionuar, ndërkaq tani lejohet dhe nuk sanksionohet”, tha ai.