Agjencia Anti-Korrupsion, më shumë funskion informativ

Prishtinë | 28 Sht 2016 | 12:41 | Nga

Ani pse themelimi i kësaj Agjencie ishte bërë me shumë bujë, puna e saj duket se nuk ka sjellë asnjë të re në vendin tonë. Opozita mendon se Kosova, vazhdon të jetë po aq, në mos edhe më shumë se më parë e korruptuar. Por, për çka shërben konkretisht, kjo Agjenci?

Drejtori në largim i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha se Agjencia nuk dënon, nuk burgos dhe as nuk konfiskon. Sipas tij, agjencia kryen hetime preliminare dhe ushtron Kallëzime Penale. Këto kallëzime janë ushtruar kundër 1500 zyrtarëve. Sa i përket luftimit të korrupsionit Preteni ia hedh fajin gjyqësorit.

Kritikë të mëdhenj të punës së kësaj Agjencie janë subjektet opozitare. Muharrem Nitaj nga AAK e quan Agjencinë e udhëhequr nga Preteni si një institucion me funksion “informativ”, por me fuqi të papërfillshme.

“Agjencia anti-korrupsion, është shndërruar në një institucion “informativ” që flet ndonjëherë se po merret me anti-korrupsionin, se i ka bërë disa lista, se i ka bërë disa denoncime, e kështu me radhë, por fuqia e saj ka rezultuar pothuaj e papërfillshme. Në këtë kuadër po kaq ka bërë edhe zoti Preteni, e po kaq do të bëjë edhe personi i ri që do ta drejtojë këtë Agjenci”, theksoi Nitaj për InfoPress.

Më tej, Nitaj thotë se është pothuaj cinike, të kërkohet prej Agjencisë Kundër Korrupsionit, që ta luftojë korrupsionin, sepse kjo është e pamundur në një sistem korruptiv. “Korrupsioni në Kosovë i ka humbur filli, dhe nuk do të ndodhë asgjë derisa të mos fillojë të zgjidhet lëmshi”, mendon ai.

Edhe Bilall Sherifi nga Partia Nisma për Kosovën, e quan Agjencinë vetëm një ndër hallkat e prishura të sistemit që nuk funksionon mirë. “Agjensioni kundër korrupsionit është vetëm një hallkë e sistemit që kanë për detyrë të luftojnë këtë dukuri. Mendimi im është se po të funksiononte sistemi në tërësinë e tij edhe agjensioni kundër korupsionit si pjesë e sistemit do të kishte qenë më efikas” potencoi Sherifi.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga Organizata Çohu ka thënë se puna e kësaj Agjencie ka qenë shumë më e vogël se sa do të duhej. “Në shumicën e rasteve, AKK-së i janë hedhur poshtë nga Prokuroria, sepse kanë qenë irelevante.

Niveli i lartë i korrupsionit ka mbetur plotësisht i pa-luftuar dhe i paprekur”, është shprehur ai në një prononcim për InfoPress. Sipas tij është prokuroria që duhet ta luftojë korrupsionin. “Kompetencë e luftimit të korrupsionit i ka takuar dhe i takon prokurorive publike, ndërsa mandati i AKK-së ka qenë dashur të fokusohet vetëm te parandalimi i korrupsionit, por pikërisht tendenca e AKK-së për të qenë në qendër të luftimit të korrupsionit e ka zbehur teje mase, suksesin e Agjencisë e në ketë rast edhe të z. Hasani si drejtor i saj”, tha Demhasaj.

Shqetësuese për Demhasajn ka qenë dhe është se në shumicën e rasteve që AKK i ka dërguar në prokurori lëndët, ato janë hedhur poshtë për shkak se nuk kanë qenë relevante. “Ka shumë pak raste të ngritura nga AKK që janë proceduar tutje, dhe nuk kam informacion që ka ndonjë rast që është filluar nga AKK dhe që ka përfunduar me dënim.

Arsyeja tjetër që tregon që nuk është bërë sa duhet në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, tregon edhe keqësimi i rangimit të Kosovës sa i përket nivelit të korrupsionit, ku kemi vazhdimisht rritje të nivelit të korrupsionit në vend”, mendon ai, duke shtuar se “nëse merret në përgjithësi në vlerësim mandati i AKK-së deri tani, nuk mund te themi se ky institucion e ka kryer pune si duhet, dhe nuk mund te themi se ka pasur sukses në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.

Madje këtë institucion e kanë përcjellë gabime të mëdha edhe sa i përket procesit të deklarimit të pasurive dhe atë të parandalimit të konfliktit të interesit”, u shpreh ai.

Të ngjashme