Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka prezantuar reformën e linjave të Trafikut Urban, që ka dalë si rezultat i studimeve për Planin e Mobilitetit, njofton Klan Kosova.
“Është model kompjuterik që është zhvilluar në bazë të kërkesave të qytetarëve. Të gjithë 160 autobusët që mbulojnë këto linjat e reja do ta kenë biletën e integruar, që do të jenë 2 orëshe, një ditore, një javore dhe një mujore”.
“Do të vazhdojmë me subvencionim të pagesave për pensionistë – që ta kenë transportin falas – dhe do të ketë lirime për studentë e nxënës. Ky plan nis së zbatuari vitin e ardhshëm, dhe na duhet fushatë intensive për t’i shpjeguar linjat e reja, për shkak se është ndryshim rrënjësor nga linjat ekzistuese”, theksoi Ahmeti.
Ai shpjegoi mënyrën e ndarjes së linjave, që përfshijnë rrjetin thelbësor me 7 linja, dhe rrjetin mbështetës me 13 linja.
Këto do të jenë 20 linjat e Trafikut Urban në Prishtinë, që për herë të parë kalojnë nëpër lagje dhe fshatra që kurrë nuk kanë pasur transport publik.
Me këtë model është vendosur se cilat linja janë çdo 5 minuta, cilat çdo 10 minuta, cilat çdo 15 minuta, cilat çdo 30 minuta, dhe cilat çdo 60 minuta.
Ne çdo stacion do të jetë harta dhe aplikacioni ku mund të shihet se për sa vije autobusi, dhe për sa mund të shkoni në destinacionin ku jeni nisur.