Prezantohen Logot dhe Programi Shtetëror për 15-vjetorin e Pavarësisë dhe 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 14:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kanë prezantuar të mërkurën agjenden për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6, 7 mars. Këto aktivitete do të zgjasin për 30 ditë.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se 25- vjetori i Epopesë dhe 15- vjetori i Pavarësisë, janë festa jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë.

“25 vite më parë gurthemeli i Kosovës tonë u vendos në Prekaz, me zemrat e zjarrta të Jasharëve që u flijuan për liri. Nuk kishte mundësi tjetër. Dekadat e shtypjes ishin edhe dekada e rezistencës, të lara me gjakun e dëshmorëve e martirëve tanë. Prandaj, Jasharët që e nisën epopenë nuk ishin as të papritur e as të çuditshëm. Por ishin përfundimi logjik i përballjes së rezistencës me pushtimin, ishin fillimi i fitores”, u shpreh ai.

“E 15 vite më parë në Prishtinë u ngritën shtyllat e Kosovës tonë, me pavarësinë dhe me kushtetutën republikane e parlamentare. Deputetët e asaj legjislature dhe firmëtarët e pavarësisë, do të mbeten në histori, sepse Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm”.

“Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i Pavarësisë. Festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia. Rilindasi Sami Frashëri njëherë ka thënë “Liria është thelb i shpirtit dhe i mendjes”.

Ai tregoi se më 13 dhjetor është caktuar Këshilli Organizativ për shënimin e këtyre dy datave dhe atij i është besuar kryesimi i tij.

“Ndërsa bashkëkryesues dhe përgjegjës për barrën kryesore të punës u caktua ministri Çeku. Anëtarë të Këshillit Organizativ, u caktuan edhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, ministrat Mehaj, Nagavci, Murati, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, përfaqësuesja nga Presidenca e Republikës së Kosovës, znj. Donjeta Miftari, komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari dhe drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, z. Shkumbin Ahmetxhekaj”.

“Më vonë, Këshillit i janë bashkangjitur edhe ministri Sveçla dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, z. Muhamet Bilalli. Që nga muaji dhjetor, Këshilli ka zhvilluar takime dhe ka caktuar grupin punues të nivelit teknik ku dhe është punuar plani 30 ditor, i mbushur me aktivitete të lloj-llojshme të cilat do zhvillohen jo vetëm në Kosovë, por edhe gjithandej botës”.

Në konferencë për media, Çeku ka thënë se programi do të fillojë nga 9 shkurti dhe do të zgjasë deri më 12 mars.

Gjatë kësaj periudhe, siç ka njoftuar Çeku, do të ketë aktivitete të ndryshme çdo ditë për shënimin e këtyre dy datave.

“Në këto 30 ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të FSK-së, turne e kampionate në sport, aktivitete muzikore, ekspozita, shfaqje filmi, teatri e baleti, promovime librash, gara shkollore e sesione librash. Do të ketë edhe pritje zyrtare”, ka thënë ai.

“Programi është 30 ditor, ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimin e këtyre datave. Gjithashtu do të ketë pritje zyrtarë në Kosovë. Programi total i përgjithshëm është i përmbledhur në një faqe prezantim. Dita e 17 shkurtit, pra 15 vjetori të pavarësisë në orën 08:00 mbledhja festive e Qeverisë. Në orën 11:00 mbahet seanca festive e Kuvendit. Parakalimi do të mbahet më 17 shkurt në orën 12:00 në sheshet qendrore”, tha Çeku.

Të ngjashme