Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vizituar sot ndërmarrjen publike komunale të Hortikulturës, ku është bërë prezantimi i makinerive të reja të cilat kapin vlerën e 200 mijë eurove.
Ky donacion përmban kamionë për bartjen e ujit, dy traktorë për ujitje, dy kamioneta dhe pajisje të tjera për mirëmbajtjen e barit.
“Sot jemi në ndërmarrjen publike ‘Hortikultura’ të prezantojmë blerjen e makinerisë së re për ta pajisur këtë ndërmarrje edhe më mirë për punën e saj e ajo është mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra në komunën tonë. Gjithë ky investim kap shifrën e 200 mijë eurove”.
Ahmeti bëri të ditur që ka përfunduar edhe prokurimi i mbi 700 drunjve dekorativë, raporton Ekonomia Online.
“Sot ka përfundu prokurimi i drunjve dekorativë, ku janë mbi 700 drunj dekorativë. Këtë vit kemi rritur numrin e drunjve të mbjellur. Në vitin e kaluar kemi krijuar Drejtorinë e Parqeve dhe përmes kësaj drejtorie do krijojmë programe për mirëmbajtjen e drunjve”.
Ndërsa drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Isa Rakovica, falënderoi Komunën e Prishtinës dhe tha se punët që po kryhen këtë vit nga kjo ndërmarrje nuk janë kryer për 14 vitet e fundit, raporton Ekonomia Online.
“Falënderojmë kryetarin e Komunës i cili këto 4 vite ka ndihmuar ndërmarrjen tonë edhe këtë vit me një vlerë rreth 1 milion euro mekanizëm, e cila i nevojitet kësaj ndërmarrjeje për ngritjen e sipërfaqeve gjelbëruese në Prishtinë”.
Sipas Rakovicës, gjatë 4 viteve të fundit janë mbjellë 50 mijë fidane.
“Me këtë mekanizëm, 187 punëtorë të kësaj ndërmarrje do të angazhohen që t’i kryejmë obligimet kontraktuese ndaj Komunës së Prishtinës. Këto 4 vitet e fundit kemi mbjellë 50 mijë fidane. Këto punë që janë kryer në kuadër të hapësirave gjelbëruese në Prishtinë janë punë që nuk janë kryer 14 vite përpara”.