Prezantohet programi i “Javëve të Biznesit Kosovar 2024”, Shahini bën thirrje të konsumohen prodhimet vendore

Prishtinë | 20 Nën 2024 | 14:14 | Nga Hasan Hoti

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka prezantuar programin e “Javëve të Biznesit Kosovar 2024”, me traditë 22-vjeçare në promovimin e prodhimeve vendore, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se ky projekt do të zhvillohet ndryshe nga vitet e kaluara, për arsye, siç tha ai objektivi nuk është më tregu i brendshëm, por edhe ai ballkanik.

“22 vjet më parë, programi ‘Unë konsumoj produkte vendore, po Ju?’, filloi si një fushatë tradicionale që në atë kohë nuk e kemi ditë që do të bëhet tradicionale. Këtë vit, ky projekt do të zhvillohet ndryshe nga vitet e kaluara, për arsye se në objektivat tona nuk është vetë, tregu i brendshëm, por edhe ai ballkanik. Misioni ynë është për të ecur prodhimi vendor. Shumë të tjerë kanë qenë kopje e jona, por që kanë dështuar”, tha Shahini.

Konsumimi i prodhimeve vendore, ai theksoi se është jetike për prodhuesit , por edhe i ekonomisë në përgjithësi.

“Problemi më i madh është moskonsumimi i prodhimeve tona”, u shpreh Shahini, teksa kritikoi edhe institucionet për mungesë përkrahje ndaj prodhuesve vendor.

“Pa mbështetjen e institucioneve për arsye se AKB deklarohet se Qeveria nuk po bën mjaftueshëm për prodhuesit vendor. Prandaj ne e ftojmë qeverinë që ta ndihmojë prodhuesin vendor, pa marrë parasysh se a janë dajë e teze dhe nga mbështetje që ta krijojë një databazë të prodhimeve vendore”, tha Shahini.

Ndërsa, Lumnije Ajdini drejtore menaxhuese e AKB-së prezantoi disa nga aktivitetet që do të mbahen për këtë javë.

Vizitën e parë tha se do të bëjnë më 22 nëntor në fabrikën e vajit “Floil” në Gjilan.

“Ka aktivitete të ndryshme me tryeza debate ekspozime, me mbi 100 biznese pjesëmarrëse në këtë jave. Vizitën e parë do ta bëjmë më 22 nëntor në Gjilan, në fabrikën e vajit ‘Floil’”, tha ajo.

Të ngjashme