Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit duke shprehur qëndrimin krah Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, e ka konsideruar ditë historike arritjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
“SHBA-ja uron Izraelin dhe Kosovën për vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike. Ishte ditë historike. Marrëdhëniet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy rajonet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, SHBA-ja është më e fortë. SHBA-ja do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë ai.
Price ka ngurruar të flasë nëse ish-administrata amerikane, ajo e Donald Trumpit, meriton çmimin “Nobel” për paqe për marrëveshjen e arritur në 4 shtator, duke thënë se roli i tij nuk “i jep kontrollin mbi atë se kush fiton çmimin ‘Nobel’”.
Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump. Te marrëveshja e Kosovës, ndër pikat ishte edhe njohja e ndërsjellë me Izraelin dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve u zyrtarizuan të hënën në një ceremoni virtuale. (Koha)