Konferenca Kanadeze e Priftërinjve Katolikë ka kërkuar falje zyrtarisht e për herë të parë për rolin e saj në sistemin e shkollave me konvikte, pasi kishte refuzuar të bëntë një gjë të tillë për një kohë të gjatë, pavarësisht presionit publik.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, ky organ shprehu “pendim të thellë” dhe kërkoi falje në emër të të gjitha entiteteve katolike që ishin drejtpërdrejt të përfshira në operimin e shkollave.
Duke filluar nga viti 1831 deri më 1996, sistemi kanadez i shkollave me konvikte i ndante fëmijët indogjenë nga familjet e tyre dhe i bënte objekt të keqtrajtimit fizik e seksual dhe kequshqyerjes. Komisioni i Të Vërtetës dhe Pajtimit më 2015 e cilësoi këtë trajtim “gjenocid kulturor”.
Të mbijetuarit që folën me agjencinë “Reuters” i kujtonin vetminë e madhe dhe urinë e vazhdueshme, duke thënë se këto shkolla funksionin me kërcënime dhe përdorim të shpeshtë të forcës.
“Ne i njohim abuzimet e rënda që janë kryer nga disa anëtarë të komunitetit katolik – abuzime fizike, psikologjike, emocionale, shpirtërore, kulturore dhe seksuale. Ne gjithashtu me dhimbje i njohim traumën historike e të vazhdueshme dhe vuajtjet e sfidat me të cilat janë përballur popujt indogjenë e të cilat vazhdojnë deri në ditët e sotme”, thuhet në deklaratën e institucionit katolik kanadez.
Kanadaja u trondit këtë vit nga zbulimi i qindra varreve pa shenja të fëmijëve indogjenë në oborret e ish-shkollave me konvikte në disa pjesë të vendit. Papa Françesku dhe Kisha Katolike deri më tani kanë refuzuar që të kërkojnë falje për rolin e kishës, pavarësisht reagimeve globale.