Drejtoresha e SHF “Hasan Prishtina”, e fshatit Godanc të Shtimes, Zade Mustafa, së bashku me Këshillin e shkollës ua kanë ndaluar 3 nxënësve: (A.R, Z.R dhe A.SH) të klasës IX shkonin me shokët në ekskursion, të shtunën, me arsyetimin se gjatë këtij viti shkollor kanë bërë probleme në shkollë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këta nxënës janë familjarë të dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës.
Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar prindërit, kurse Komuna e Shtimes ka paralajmëruar se që nga fillimi i javës, do të informohen dhe do të marrin masa disiplinore ndaj atyre që kanë bërë shkelje ligjore në këtë proces.
Sylajman Ramadani, prind, njëherësh familjar i dëshmorit, ka thënë se drejtoresha e shkollës së bashku me Këshillin e saj kanë shkelur ligjin për ekskursione, i cili saktëson se të gjithë nxënësit kanë të drejtë të shkojnë në shëtitje që i organizon shkolla me pëlqim të prindërve. Mirëpo në këtë rast sipas tij, udhëheqësit e kësaj shkolle kanë bërë diskriminim.
“Nuk më ka njoftuar askush pse djali im nuk do të shkonte në ekskursion. Ndërkohë kam biseduar me Komunën, më kanë premtuar se do të rregullohet, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Të gjithë nxënësit e klasave të nënta kanë shkuar në ekskursion të shtunën, kurse djalin tim nuk e morën me arsyetim se shkolla i ka disa rregullore për nxënësit e padisiplinuar, por ligji e thotë qartë se ekskursioni është diçka e veçantë dhe duhet të gjithë nxënësit të jenë të barabartë, ndaj në këtë rast shkolla ka bërë shkelje të rëndë ligjore”, ka kritikuar Ramadani. Ndërkaq ai dyshon se gjithçka është bërë për inate personale.