Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara takohen me deputetët, kërkojnë zbatimin e ligjeve në fuqi

Prishtinë | 20 Dhj 2022 | 12:38 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione është takuar me përfaqësuesit e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, në kuadër të organizatës Handikos, raporton Ekonomia Online.

Mimoza Rrahmani nga Handikos, tha sesi prind të fëmijëve me aftësi të kufizuara po përballen me sfida të jashtëzakonshme.

Sipas saj, mungesa e qendrave të shërbimit ditor është vështirësi për ta si dhe gjithëpërfshirja në shkolla, duke përmendur edhe paragjykimin e përditshëm.

“Jam nënë e një fëmije me aftësi të kufizuar, përdorues i kolicës. Sfidat janë jashtëzakonisht shumë të mëdha, kryesisht fillojnë me të drejtat e njeriut. Për ne si prindër është shumë e vështirë. Nuk kemi Qendra të shërbimit ditor të këtyre personave. Shumica e këtyre fëmijëve preken nga sëmundje gjenetike. Gjithëpërfshirja në shkolla është sfidë tjetër për ne si prindër, siç e përmendem nuk kemi asistencë të fëmijëve, duhet ta kryejmë vet këtë asistencë”.

“Paragjykimi vazhdon të jetë pjesë e jona e përditshme, diskriminimi po ashtu. Kërkoj që ju t’i shtyni këto çështje sepse ato nuk janë duke u respektuar. Domethënë liritë tona preken, dinjiteti jonë preket çdo ditë. Shpresoj që më të ardhmen të kemi takime tjera që të flasim për arritje”.

Lirie Sadrija nga Handikos, tha se 500 fëmijë me aftësi të kufizuar dhe kanë nevojë për asistent. Madje ajo ka kërkuar që kriteret punësimit për këta persona të jenë më të buta dhe që të plotësohet kuota 50+1.

“Unë kisha dashtë që ne të plotësojmë kuotën 50+1. Unë kisha dashtë që ju si Komision ta ngrisni zërin jo vetëm të mbushet kjo kuotë. Neve na paralizon qasja në vende të punës. Shpalljet për vende të punës mos të kenë kritere të larta”.

“Duke u shpallur viti 2022 si vit i personave me aftësi të kufizuar, është kthyer vëmendja nga ne. Është ndarë së fundmi buxheti që 100 persona te angazhohen nëpër shkolla. Janë 500 fëmijë me aftësi të kufizuar dhe kanë nevojë për asistent. Ai numër që është premtuar nuk e përmbush numrin.  Varësisht nga nevojat, për shembull fëmijët që janë përdorues të kolicës ju duhet një asistent mbështetës”.

Përderisa Afërdita Gashi ka kërkuar që të zbatohen ligjet dhe konventa në fuqi.

“Po shpresoj që pjesë e këtij Komisioni janë të gjithë deputetët e Kuvendit që të ngrisin çështje. Prioritet për ne do të ishte respektimi i Konventës, asistenca personale dhe mungesa e shërbimeve sociale, po ashtu edhe shërbime shëndetësore dhe profesionale”.

“Te ligji për punësim veç këto dy muaj ka filluar, që disa ndërmarrje private kanë shprehur interesim. Kemi shumë gjëra na preokupojnë. Nga ana e ndihmës financiare kemi marrë si gjithë të tjerët një skemë pensionale 100 euro”.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, tha se kanë shprehur dëshirën për takim në mënyrë që të njoftohen për hapat në vitin e ardhshëm.

“Ne për këtë takim kemi ftuar familjet e personave me aftësi të kufizuar nga organizata joqeveritare Handikos. A keni data-bazë sa fëmijë janë me aftësi të kufizuar?. Është shkelje ligjore mospërfshirja e këtyre personave”.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kërkoi që të ketë zbatim të duhur të legjislacionit, raporton EO.

“E njëjta mund të jetë edhe si kërkesë për krejt shkollat, që të keni takim me kryetarët e komunave. Ne duhet të punojmë pastaj tek normat teknike”.

“Më vjen keq që pikërisht në vitin që është shpall vit i personave me aftësi të kufizuar, nuk kam parë diçka të madhe në këtë drejtim”.

Kurse deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se Kuvendi është institucioni i vetëm që e përmbush kuotën për persona me aftësi të kufizuar.

Të ngjashme