Prindërit të cilët punojnë po kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të shqyrtojë sa më parë hapjen e institucioneve parashkollore. Kjo meqë po ankohen se nuk po kanë ku t’i lënë fëmijët tash kur ka filluar lehtësimi i masave dhe rikthimi në punë.
Flora Leci, e cila punon floktare në kryeqytet, ka një fëmijë 2 vjeç, të cilin e ka pasur në çerdhe deri në muajin mars. Ajo ka thënë se nëse nuk hapen çerdhet në qershor, nuk do të mund ta vazhdojë punën pasi do t’i duhet të kujdeset për fëmijën e saj, raporton KOHA.
“Ne nga sot e kemi filluar punën. Nuk e di a e ka menduar dikush prej institucioneve se çka do të ndodhë me ne prindërit që punojmë, s’kemi tjetër zgjidhje, vetëm nëse e lëmë punën. Shpresoj shumë që të paktën çerdhet të hapen, sepse vajzën nuk kam ku ta lë”, ka thënë ajo.
Edhe Ardiana Mehmeti, nënë e 3 fëmijëve, thotë se është shumë problematike moshapja e çerdheve pasi edhe ajo, edhe bashkëshorti i saj punojnë. Ajo ka treguar se puna ia ka mundësuar që gjatë kësaj periudhe të pandemisë të punojë vetëm pasdite për shkak se duhet të kujdeset për fëmijët derisa të kthehet bashkëshorti nga puna. Një ngarkesë e madhe, sipas saj, u është shtuar edhe me fëmijët që i kanë në nivelin fillor e që mësimin po e realizojnë nga shtëpia.
“Jemi bllokuar mes punës në shtëpi, mësimit dhe punës. Do të thotë, ngarkesa është trefishuar për shkak se jam e obliguar që paraditen deri në orën 16:00 ta ndaj mes realizimit të detyrave për fëmijët, kujdesit ndaj bebes dhe punëve të shtëpisë që janë të domosdoshme, ndërsa pas kësaj ore filloj punën normalisht në orar të rregullt”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se institucionet do të duhej ta shqyrtonin hapjen e institucioneve parashkollore, por të ketë vigjilencë për mbajtjen nën menaxhim të higjienës.