Një muaj më parë Z Mobile Prishtina kishte mposhtur me 28 pikë dallim Bashkimin për të fituar Superkupën e Kosovës në basketboll.
Skuadra prishtinase nuk kishte aktivizuar tërë potencialin në atë takim. Tashmë Prishtina drejtohet nga një trajner tjetër, Damir Mulaomeroviq, ndërsa ai do të debutojë në një ndeshje tjetër ndaj Bashkimit, kampionit në fuqi të Kosovës.
Përzgjedhësi i Kosovës, Mulaomeroviq fundjavën e kaluar mori drejtimin e Prishtinës, duke zëvendësuar gjermanin Matthias Zollner. Mulaomeroviq do të debutojë në kampionat të shtunën (sot) kur nga ora 20:00 zhvillohet derbi i xhiros së katërt ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit.
Prishtina është e para në tabelë me 6 pikë nga tri ndeshje, ndërsa Bashkimi është i pesti me katër pikë, përkatësisht me bilanc prej një fitore e dy humbje. Bashkimi në xhiron e tretë mposhti Ponte Prizrenin, kurse dy takimet e para kampionale i humbi nga Golden Eagle Ylli e Rahoveci.