Në shumicën e qyteteve të Kosovës ka përfunduar dekorimi për festat e fundvitit, raporton KTV.
Mirëpo, në kryeqytet nuk ka ndodhur diçka e tillë. Sipas zyrtarëve komunalë, ankesa e një operatori ekonomik, ka bërë që ky proces të vonohet.
Është data 12 dhjetor ndërsa kryeqyteti ende nuk është stolisur për festat e fundvitit.
Pothuajse një muaj më parë, konkretisht më 16 nëntor, sheshet e Tiranës janë dekoruar të gjitha, ndërsa dritat i pati ndezur kryetari i kësaj bashkie, Erion Veliaj.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, festat e nëntorit janë zhvilluar në hapësira të hapura, e mirë të ndriçuara.
Gati një muaj pas Tiranës, edhe komuna e Ferizajt e ka zbukuruar sheshin.
Mirëpo, kryeqyteti i Kosovës ka mbetur vonë sivjet.
Deri të premten e kaluar nuk ishte nënshkruar kontrata për fillimin e dekorimit të shesheve të Prishtinës.
Mimoza Sylejmani ka thënë se komuna, tenderin për këtë e ka shpallur në muajin shtator, por operatori i dytë konkurrues, është ankuar fillimisht në komunë, e pastaj në OSHP, gjë që ka ndikuar të vonohet ky proces.
Megjithatë, këtë vit, sipas Sylejmanit, nuk do të ketë laramani të ngjyrave dhe do të mbizotërojë ngjyra e arit.
Kompania fituese “Link Media Plus”, është parë gjatë së mërkurës duke i dekoruar sheshet e Prishtinës.
Për qytetarët, dekorimi po bëhet shumë vonë.
Salie Gajtani Osmankaq, njohëse e zhvillimeve në kryeqytet, thotë se komuna e Prishtinës viteve të fundit, sikur po i praktikon vonesat për dekorimin e shesheve.
Komuna e Prishtinës për dekorimin e qytetit i ka ndarë 75 mijë euro, ndërsa kompania “Link Media Plus”, ka konkurruar me 54 mijë euro.
Punimet pritet të përfundojnë në fund të kësaj jave.