Z Mobile Prishtina përjetoi të mërkurën për herë të dytë në këtë edicion të FIBA Europe Cup forcën e një skuadre të madhe, siç është Bakken Bears nga Danimarka.
E me këso skuadrash pak a shumë do të ketë punë në fazën e dytë të kësaj gare.
Prishtina përfundoi e dyta në grup pas Bakken Bearsit, që është skuadra e vetme në FIBA Europe Cup që nuk pësoi humbjen në fazën e parë, por u kualifikua tutje. Prishtina u mposht të mërkurën para tifozëve të vet 77:100, e po kaq thellë ishte mposhtur edhe në Danimarkë (108:88).
Dardan Berisha, i cili ishte lojtari më i dalluar te Prishtina gjatë fazës së parë me mesatare prej 18 pikëve për ndeshje, pret ndeshje shumë të vështira, por shton se edhe skuadra e tij do të jetë e vështirë për rivalët.
Për Prishtinën ky është edicioni i katërt në këtë garë dhe hera e parë që kaloi fazën fillestare. Me këtë është arritur synimi i skuadrës kosovare, por ajo nuk mendon të ndalet.