Prishtina dhe Obiliqi mbeten dy komunat me ajrin më të ndotur në Kosovë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Djegiet në industri, por edhe të lëndëve të ndryshme në ekonomitë familjare shihen si shkaktare kryesore.
Në Obiliq – rreth 10 kilometra larg Prishtinës – janë edhe dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, që prodhojnë rrymë duke djegur thëngjill.
Shumë familje, po ashtu, ngrohen përmes djegies së thëngjillit.
Dhe, për rrjedhojë, ndotja e ajrit është më e theksuar gjatë vjeshtës dhe dimrit.
“Varësisht kushteve meteorologjike, konsumit të lëndëve djegëse nga ekonomitë familjare, transportit… mund të pritet edhe rëndim i situatës, sidomos në ditët kur nuk ka rrymim të ajrit”, thotë Tafë Veselaj nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë
Sipas tij, ndotjen janë duke e shkaktuar grimcat e thithshme të ajrit PM10 dhe PM2.5, ekspozimi ndaj të cilave rrit rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.
Veselaj thotë se, disa herë ditëve të fundit, niveli i këtyre grimcave i ka tejkaluar normat e lejuara deri në tri herë – sidomos në Prishtinë dhe në Obiliq.
Me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja është e rrezikshme kur mesatarja e grimcave PM10 kalon 45 mikrogramë për metër kub në 24 orë, ndërsa për grimcat PM2.5 nuk duhet të jetë më shumë se 15 mikrogramë për metër kub.
Nivelet e larta të ndotjes në ajër i konfirmojnë edhe në Institutin për Politika Zhvillimore [INDEP].
“Duke u bazuar në trendin e javëve të fundit, kur edhe institucionet e shëndetësisë i kanë alarmuar qytetarët dhe i kanë udhëzuar që ta shmangin sa më shumë daljen, gjendja e cilësisë së ajrit në vend nuk është e kënaqshme. Madje, në muajt e dimrit, mund të bëhet e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të INDEP-it, përcjell telegrafi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një njoftim të publikuar ditë më parë, tha se qyteti i Prishtinës është i zhytur në smog.
Ai i këshilloi qytetarët me sëmundje kronike që t’i shmangin daljet jashtë, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje.
Pulmologu kosovar, Besim Morina, thotë se ajri i ndotur mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.
“Problemet e atypëratyshme nënkuptojnë efekte të dëmshme për personat që kanë sëmundje kronike. Por, ajri i ndotur mund të ketë efekte të dëmshme edhe te personat që nuk kanë sëmundje të tilla… Pra, mund të vijë deri të shfaqja e sëmundjeve të reja, si bronkiti kronik, ose ndonjë sëmundje kardiovaskulare”, thotë Morina për Radon Evropa e Lirë.