Pa trajnerin Damir Mullaomeroviq dhe katër basketbollistë, skuadra e Z Mobile Prishtina me vështirësi ka arritur ta mposhtë Trepçën në duelin e xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja e zhvilluar të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë është mbyllur me shifrat 88:83 për Prishtinën dhe kështu ka mbetur ekipi i vetëm këtë edicion që ende nuk di për humbje në kampionat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pos trajnerit Mullaomeroviq, te Prishtina nuk ishin as lojtarët Dardan Berisha, Edmond Azemi, Khalid Boukichou e Malcolm Armstead. Përderisa Berisha e Azemi ishin të lënduar, gazeta ka mësuar se Boukichou e Armstead tashmë nuk janë pjesë e Prishtinës, pasi janë larguar nga ekipi.
Ndërkohë, trajneri Mullaomeroviq pritet të kthehet pasi ka marrë disa ditë të lira për ta vizituar familjen e tij në Kroaci. Në vend të Mullaomeroviqit, ekipi ndaj Trepçës është drejtuar nga ndihmësit, Andin Rashica e Illmen Bajra.