Për dy ditë me radhë në kryeqytet do të mbahet “Prishtina Gastronomy Festival”, i cili synon promovimin e gastronomisë shqiptare dhe traditat kulturore shqiptare në përgjithësi, raporton Ekonomia Online.
Mesazh i festivali është “Gjyshërit tanë treguan dashurinë e tyre për ne dhe për pjesën tjetër të familjeve tona përmes pjatave që shërbenin në tryezë. Le ta përhapim këtë dashuri nëpër botë!”.
Gjatë dy ditëve do të ketë simpoziume, punëtori, këndi i restoranteve, panairi i tregtisë me produkte ushqimore dhe pije nga shitësit lokalë, lojëra dhe muzikë.
Tanita Zhubi, koordinatore për marketing e fistivalit, tha se në edicionin e parë të këtij festivali do të prezantohet një program i larmishëm.
“Jemi në përgatitje të fundit të festivalit të gastronomisë që po fillojmë sot dhe ditën e nesërme, është një program i larmishëm që ka me qenë pjesë e edicionet të parë të festivalit, me prezantimin e shefave të cilët kanë me bë përgatitje të ndryshme”.
“Janë forumet të cilat diskutohen temat në lidhje me gastronominë është këndi i trashëgëmisë ku disa gra kanë me ardhur me gatu drejtpërdrejtë”.
Kosovare Maliqi, nga kompania “Floil”, tha se në festival do të paraqesin pesë produkte të kompanisë.
“Këtu jena tu i promovuar 5 produktet e tona, ne kemi me përgatit ushqime këtu, kemi me servuar edhe pije të ndryshme. Është një mundësi e mirë për të gjitha produktet vendore dhe gjithçka që ka të bëjë me produktet dhe kuzhinën”.
Festivali po mbahet në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë.