Te Z Mobile Prishtina vazhdojnë të besojnë në ato pak mundësi që kanë për kualifikim në 1/8 e finales te FIBA Europe Cup. Dhe me këtë shpresë ekipi bardhekaltër ka marrë rrugën drejt Hungarisë të martën paradite, shkruan sot Koha Ditore.
Skuadra kosovare të mërkurën (sot, 18:00) do të përballet me Szolnoki Olajin që tashmë është eliminuar si ekipi i vetëm në Grupin I pa fitore. Prishtina duhet të fitojë dhe të shpresojë se në ndeshjen tjetër Wuerzburgu do të triumfojë në shtëpi kundër Pinar Karshiyakas. Nëse realizohet ky skenar, atëherë Prishtina në xhiron e fundit mund ta sigurojë kalimin nëse e mposht ekipin turk me më shumë se 22 pikë dallim.
Por kjo vlerësohet gjë gati e pamundur.
Pas katër xhirove të luajtura të fazës së dytë të FIBA Europe Cup, Wuerzburgu ka siguruar kalimin në 1/8 e finales nga ky grup, kurse Szolnoki është eliminuar. Luftë për vendin e dytë, që po ashtu siguron kalimin tutje, do të bëjnë Pinari dhe Prishtina.
Aktualisht Pinari është i dyti me shtatë pikë, dy më shumë se Prishtina në vend të tretë.