Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, ka udhëtuar për në Varshavë me një qëllim, ta mposhtë Legian dhe të kalojë në raundin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve. Prishtinës në ndeshjen e kthimit i duhet fitore me më shumë se dy pikë dallim për t’u kualifikuar në raundin e dytë, pasi të martën mbrëma u mposht në shtëpi me shifrat 81:79. Ndeshja e dytë ndërmjet Legias dhe Prishtinës zhvillohet të premten (sot) prej orës 20:00 në Varshavë.
Në fakt, Prishtina në lojën e parë pati mundësinë ta fitonte ndeshjen, por tentimi i Mikaile Tmushiqit për tri pikë në aksionin e fundit nuk e gjeti cakun. Para Tmushiqit edhe plejmejkeri Divine Myles lëshoi mundësinë për të barazuar rezultatin, pasi dështoi dy herë nga vija e gjuajtjeve të lira, shkruan sot Koha Ditore.
“Ashtu si në ndeshjen e parë që u futëm për ta fituar dhe e patëm mundësinë, por na mungoi fati, edhe në të dytën do të dalim me synimin e njëjtë. Dy pikë nuk janë shumë dhe ne do të japim gjithçka nga vetja për ta kthyer rezultatin, pasi duam të kalojmë në raundin tjetër. Nuk do të jetë e lehtë për shkak se Legia luan në shtëpi, por diferenca nuk është e madhe dhe gjithçka mbetet e hapur për ne”, është shprehur trajneri i Prishtinës, Bujar Loci.
Për Prishtinën ky është edicioni i tretë rresht që garon në këtë raund të Ligës së Kampionëve.