Pas humbjes në Hungari nga Szolnoki Olaj javën e shkuar, Z Mobile Prishtina humbi çdo shans për kualifikim tutje nga FIBA Europe Cup. Por, disa ditë më vonë, një njoftim i FIBA-s, bëri të ditur se gjërat kanë ndryshuar dhe se Prishtinës i është hapur një derë tjetër për të vazhduar garat në Evropë.
Pasi tri ekipe të eliminuara nga Liga e Kampionëve kanë refuzuar të vazhdojnë garimin në FIBA Europe Cup, është krijuar mundësia që tri skuadra të treta nga grupet e FIBA Europe Cup të shkojnë tutje, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas rregullave, në fillim dihej që vetëm dy skuadrat e para të grupeve kualifikoheshin, por tash edhe tri më të mirat të pozicionuara në vende të treta. Por edhe kjo mundësi nuk është shumë e madhe për Prishtinën që aktualisht mban vendin e katërt, të fundit, në grup.
Për të arritur vendin e tretë në grup duhet të mposhtë sot (19:00) në Prishtinë skuadrën turke Pinar Karshiyaka, dhe të shpresojë që skuadra hungareze Szolnoki Olaj do të humbë në terrenin e vet nga lideri i grupit, S. Oliver Wuerzburg.
Nga Pinari, Prishtina kishte humbur në ndeshjen e parë me 22 pikë epërsi (107:85).