Fytyrë shumë të ndryshme kanë pasur ndeshjet e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Derisa ndeshjet në Prishtinë nuk kanë pasur dramë dhe janë fituar bindshëm nga Z Mobile Prishtina, ndeshja në Rahovec është vendosur fare në fund dhe është fituar nga skuadra vendase.
Edhe atmosfera ka dalluar shumë, ndonëse plejofi nuk po e ka bujën e zakonshme, shkruan sot Koha Ditore.
Në Prishtinë në ndeshjen e tretë të plejofit ishin afro 1.000 shikues e në ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit edhe më pak. Ndërkohë në Rahovec në ndeshjen e dytë të plejofit palestra ishte e mbushur me afro 2.500 shikues.
Lideri i Prishtinës, Dardan Berisha. pret që sërish në Rahovec palestra të jetë e mbushur me shikues dhe që atmosfera të jetë e zjarrtë. Por ai pret që rezultati të dallojë nga ai i ndeshjes së kaluar të luajtur në palestrën “Mizahir Isma”.