Prishtina lë pas eliminimin shokues, nis e gatshme garën e vështirë për titull

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Eliminimi në çerekfinale të Kupës së Kosovës është përjetuar rëndë te skuadra e Prishtinës, por kapiteni Armend Dallku insiston se tashmë kjo i takon së shkuarës dhe se bardhekaltrit kanë kthyer fokusin kah titulli i kampionit, që do të shpëtonte edicionin.

Prishtina të dielën u eliminua në çerekfinale nga Trepça ’89 pas penalltive. Ndeshja u luajt në kryeqytet, ndërsa skuadra vendase u vlerësua favorite e madhe.

Të martën futbollistët kanë pasur takim me trajnerin Mirel Josa dhe të gjithë së bashku kanë vlerësuar se është shumë e rëndësishme që deri në fund të edicionit të mbahet pozita aktuale në tabelë. Kjo natyrisht nuk vlerësohet e lehtë.

Prishtina stinorin vjeshtor në Superligën e futbollit e ka mbyllur në pozitën e parë me 40 pikë, një më shumë se Feronikeli dhe pesë më shumë se Llapi, ekipe që pritet ta rivalizojnë në garën për titullin e kampionit. Stinori pranveror i Superligës nis të premten, kurse Prishtina ndeshjen e xhiros së 18-të e luan të hënën kundër Flamurtarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme