Prishtina ka fituar pa shumë vështirësi në shtëpi ndaj Arbërisë me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Superligën e Kosovës.
Kryeqytetasit kanë marrë edhe fitoren e tretë radhazi në kampionat, duke mposhtu klubin nga Dobraja dhe vazhduar garën për titull.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të ekipit të Zekirija Ramadanit, të cilët përveç rasteve të shumta arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm pesë minutave lojë dhe ishte Gauthier Mankenda, i cili shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Leonit Abazit.
Vendasit shpejt gjetën edhe golin e dytë të ndeshjes me anë të Besnik Krasniqit që shënoi nga penalltia për 2-0.
Në pjesën e dytë, përsëri Prishtina ishte skuadër më kërkuese, por edhe në të njëjtën kohë e menaxhoi mirë lojën dhe rezultatin.
Rasti më i mirë në këtë ndeshje ishte në minutën e 69-të me anë të Sabien Lilaj, i cili qëlloi traversën nga afërsia dhe në fund ndeshja u mbyll me fitoren 2-0 të Prishtinës.
Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh vetën në pozitën e dytë me 60 pikë apo një më pak se Drita e parë, ndërsa Arbëria zë vendin e 11-të me 27 pikë.
Në ndeshjen e radhës, kryeqytetasit udhëtojnë te Drita, ndërsa Arbëria e pret Besën.