Lojtarët e Prishtinës të hënën (sot) nisin përgatitjet që shpresojnë se do t’u ndihmojnë për t’i dhënë fund pritjes së gjatë për titull të kampionit të Kosovës në futboll.
Prishtina titullin e fundit të kampionit e ka fituar në vitin 2013, pra gjashtë vjet më parë. Është prej pretendentëve kryesorë për titull këtë edicion, ndërsa në favor të kësaj shkon fakti që stinorin vjeshtor e ka përfunduar në vend të parë me 40 pikë, një më tepër se Feronikeli. Llapi është skuadër tjetër pretendente, derisa të tjerët kanë mbetur më prapa në pikë.
Titulli natyrisht vendoset në pranverë dhe përgatitja e duhur për pjesën e dytë të kampionatit vlerësohet kyç.
Prishtina do të nisë me stërvitje në fushën e 2 Korrikut. Në Prishtinë skuadra do të stërvitet deri më 22 janar, derisa në dy javët e fundit para vazhdimit të garës do t’i kalojë në Turqi.