Në përvjetorin e 19-të të çlirimit Prishtina nuk është stolisur me flamuj dhe as nuk ka pasur ndonjë manifestim për nder të kësaj date, përveç një seance solemne që ka mbajtur Kuvendi Komunal i Prishtinës, e në të cilën ka munguar kreu i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Ai madje nuk ka marrë pjesë as në homazhet që u janë bërë varrezave të dëshmorëve në Prishtinë dhe bustit të heroit Zahir Pajaziti, në qendër të qendër të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa që seanca solemne u hap me nderim të himnit të flamurit dhe me një minutë heshtjeje për simbolin e futbollit, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë të dielën në mëngjes.
Aty u tha se kontributi, sakrifica dhe amaneti i dëshmorëve ende nuk është përmbushur tërësisht, sepse vendi ynë ende nuk është aty ku ata kanë dëshiruar të ishte.
“Datat si 11 Qershori, na bëjnë të reflektojmë në punën tonë të përditshme, ashtu që të mos e devijojmë rrugën të cilën e kanë trasuar dëshmorët, atë për liri e bashkim”, është thënë ndër të tjera në këtë seancë solemne.