Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka përfunduar afati për aplikimin e atyre që duan të përfitojnë një banesë sociale në Hajvali.
Udhëheqësi i sektorit të mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës, Nazim Cakolli ka treguar se për 50 banesa sociale që ndodhen në kompleksin banesor në Hajvali kanë aplikur 329 familje.
Cakolli në Kosova Direkt të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova ka thënë se Komisioni do të verifikojë të gjithë aplikuesit dhe më pas të zgjedhë ata që do të përfitojnë.
“Komisioni mbi vlerësimin dhe verifikimin është i formuar dhe me datën 20 do të marrë dokumentacionin nga organet komunale që kanë udhëhequr këtë proces”.
“Komisioni do të shohë dokumentacionin, dhe më pas në afat prej 30 ditësh do të verifikojë gjendjen në terren të familjeve që konsiderohen se plotësojnë kriteret”.
Ai ka treguar se cilat kanë qenë kriteret bazë për të qenë përfitues i një banese sociale.
“Kriteret bazë për përzgjedhjen në këtë program të banimit social janë statusi banesor, familjet të cilat janë me numër më të madh të anëtarëve, familjet që posedojnë njerëz me aftësi të kufizuara ose me probleme shëndetësore, familjet që kanë nën përkujdeshje fëmijë jetim ose familjet që janë prindër vet-ushqyes”.
Cakolli ka treguar poashtu se të gjithë ata që nuk do të përfitojnë një banesë sociale këtë herë, do të tentohet që të sistemohen me një plan tre vjeçar të banimit social.
“Komuna e Prishtinës është në fazën e përgatitjes së planit 3 vjeçar të banimit që familjet që nuk do ta kenë fatin të jenë përfituese këtë herë do tu bëhet zgjidhja”.
Ai ka siguruar se banesat plotësojnë të gjitha kriteret për banim.
“Banesat fillimisht kanë pasur probleme teknike, tashmë janë të mbaruara dhe plotësojnë të gjitha kriteret si në aspektin teknik ose strukturor”.