Klubi i futbollit Prishtina të hënën (sot) do t’i drejtohet me kërkesë zyrtare Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për ta marrë lejen e organizimit të ndeshjes së fundit kundër Dritës së Gjilanit, në stadiumin që ende është në rinovim të qytetit të Prishtinës.
Por kërkesa e Prishtinës dhe e Komunës së Prishtinës do të refuzohet nga MKRS-ja si financuesja kryesore e rinovimit te stadiumit të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Edhe FFK-ja nuk përkrah kërkesën e Prishtinës dhe pronares së stadiumit, Komunës së Prishtinës, që ndeshjen përcaktuese për titull të kampionit të këtij edicioni në Vala Superligën e Kosovës në futboll, Prishtina ta luajë në stadiumin e qytetit.
Si në MKRS ashtu edhe në FFK kanë thënë se punimet ende nuk kanë përfunduar dhe se stadiumi nuk është gati për t’u lejuar të luhet një lojë futbolli.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka insistuar se as ligjërisht e as teknikisht nuk mund të lejohet që në stadiumin e qytetit të luhet një ndeshje futbolli.