Bashkatdhetarët që kaluan festat e fundvitit në Kosovë, tashmë kanë filluar të kthehen në vendet e tyre ku jetojnë dhe veprojnë.
Kjo ka bërë që në pikat kufitare me Serbinë të kthehen kolonat dhe pritjet e gjata.
Fitim Bekolli, njëri nga mërgimtarët e shumtë që kishin mësyrë sot në mëngjes pikën kufitare në Merdar, tregon për Ekonomia Online se për të kaluar në këtë pikë i janë dashur rreth 3 orë.
“Po sot kemi pritur gati 3 orë në kolonë në Merdarë. Kjo është e paarsyeshme dhe pakuptueshme. Nuk e di pse po ndodhë por mendoj që kufitarët serbë qëllimisht po na vonojnë, vetëm pse jemi shqiptarë”, thotë ai.
Pritjet e gjata të Merdar, i konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Hoxha thotë se kjo po ndodhë pasi që shumica e bashkatdhetarëve po e përdorin vetëm pikën kufitare në Merdar, duke apeluar që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera, në mënyrë që të mos krijohet tollovi.
“Në këto momente kur ne po flasim sipas informacioneve që kemi nga terreni pritjet shkojnë deri në tri orë. Prandaj i sugjerojmë dhe i apelojmë bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera siç është Dheu i Bardh apo edhe pikat e tjera të kalimit kufitar për të shkuar në vendet ku ata punojnë dhe veprojnë”, tha Hoxha.
Hoxha thotë se në këtë periudhë Policia e Kosovës ka paraparë plane të veçanta për shtimin e kapaciteteve me zyrtarë policorë nëpër ato pika ku vërehet se numri i bashkatdhetarëve është më i madh.
Pritjet e gjata dhe maltretimet e mërgimtarëve nëpër pikat kufitare me Serbinë i ka komentuar edhe kryeministri Isa Mustafa.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online thotë se këto po ndodhin si pasoi e papërgjegjësisë nga ana e autoriteteve serbe, me qëllim të krijimit të pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë.