Ka rreth dy vjet që 59-vjeçari Sejdi Sejdiu nga Gjakova është duke pritur për nostrifikimin e diplomës në Qendrën kombëtare për njohje të diplomave (NARIC Kosova) në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 22 prill të vitit 2016 i ka dorëzuar në këtë departament të gjitha dokumentet e kërkuara për nostrifikim të diplomës, por deri më tash nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sejdiu është shumë i zhgënjyer me MASHT-in derisa paralajmëron se do t’i drejtohet edhe gjykatës për ta përshpejtuar këtë proces.
“Unë i kam dorëzuar të gjitha dokumentet ashtu siç kërkohet. Universiteti Evropian i Tiranës (UET), ku unë kam diplomuar, është i akredituar. Rektori i UET-së, Tonin Gjuraj, por edhe Ministria e Arsimit në Shqipëri më kanë thënë se atje është gjithçka në rregull, por që problemi është në Prishtinë. Unë vërtet nuk po e di se çfarë është duke ndodhur”, thotë Sejdiu.
Hera e fundit që ai iu ka drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të marrë informacione rreth nostrifikimit të diplomës ka qenë të premten e javës së shkuar. Sipas tij, zyrtarë të MASHT-it i kanë thënë se janë duke pritur disa përgjigje nga Shqipëria dhe sërish i është dashur të kthehej në Gjakovë pa kryer punë…