Pritjet nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të ndryshojë raportet e këtij institucioni me Qeverinë, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, bazuar sipas vlerësimeve të njohësve të çështjeve politike. Paraprakisht edhe partitë në pushtet të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM), që e kishin nominuar dhe zgjedhur për president, kanë thënë se me Stevo Pendarovskin në krye të shtetit, do të vazhdojë kursin euroatlantik të Qeverisë dhe si dhe konceptin e saj, “Një shoqëri për të gjithë”.

Albert Musliu, analist dhe drejtues shoqatës “Iniciativa Demokratike”, beson se vendi përfundimisht do t’i japë fund bllokimit të procesit reformave nga presidenti i deritanishëm, Gjorge Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e dhjetëra ligjeve për shkak të mos pranimit të emrit të ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, ndërsa kishte mbajtur zvarrë edhe shumë vendime tjera në politikën e jashtme si emërimin e ambasadorëve, por edhe ratifikimin e marrëveshjeve dypalëshe.

“Gjithsesi se me zgjedhjen e këtij presidenti dhe nëse ai i përmbush premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës, por edhe mbrëmjen kur u kumtua se është zgjedhur president, mendoj se gjithë procesin e përshpejton, jo vetëm për faktin se nuk do të ketë dilema për nënshkrimin e ligjeve që janë me rëndësi për Maqedoninë e Veriut, por ai do t’i japë një impuls pozitiv edhe raporteve të vendit me partnerët tanë euroatlantik. Mendoj se do të kemi një president më të përgjegjshëm dhe më vizionar lidhur me ardhmërinë euroatlantike të shtetit”, thotë Musliu, transmeton rel.

Presidenti i ri, Stevo Pendarovski në postin e kreut të shtetit u zgjodh edhe me votat e shqiptarëve, të cilët ishin vendimtare në fitoren e tij. Musliu thotë se ai do të jetë ndryshe nga tani më ish presidenti Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e Ligjit për gjuhën shqipe, si dhe zgjidhje tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Pikë së pari mendoj se presidenti i ri do të respektojë plotësisht Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve. Nga ana tjetër, nuk besoj se ai do të bëjë zgjedhje politike të personave sa për t’u parkuar në presidencë. Pres që të mos ketë dilema në këtë temë dhe se relacionet me shqiptarët do të shënojnë një përmirësim më rrënjësor apo përmbajtjesor”, thotë Musliu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme