Privatizimi i KEDS-it sjell qasje tjetër në mbështetje të konsumatorit

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 13:37 | Nga

Skender Ibrahim Begi, nga Babaj Bokës brengën e tij për rrëzimin e një shtylle elektrike e kishte paraqitur në KEDS, përmes faqes së Facebookut të kësaj kompanie. Ai është habitur me reagimin e shpejtë që i kishte ardhur nga teknikët e KEDS-it në ato ditë të ftohta të janarit.

“Unë për herë të parë kam shkruar për një problem. Ka qenë mbasdite vonë dhe vërtetë jam mahnitur me interesimin aq të madh, brenda 10 minutave i kam marrë 5 thirrje nga KEDS-i në Gjakovë dhe në Prishtinë. Të nesërmen në mëngjes asht rregullu problemi”, thotë Begi.

Ngjashëm sikurse Skender Ibrahim Begi, edhe Adem Zhegrova nga Prishtina ka përdorur mesazhet e Facebookut për të paraqitur problemin e mungesës së rrymës në një fazë të lagjes Kodra e Trimave.

Ai kishte shkruar në orën 13:52 të datës 14 mars për problemin e lagjes, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, në orën 14:15 pas reagimit të shpejtë të KEDS, kishte shkruar “Flm. U rregullua faza”.

“Shumë i lehtë komunikimi. Na ka ndihmuar shumë”, thotë Zhegrova.

Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, thotë se kompania duke parë që komunikimi gjithnjë e më shumë është duke u bartur tek rrjetet sociale ka investuar në këtë kanal.

“Kemi angazhuar 12 pjesëtar të brendshëm dhe të jashtëm të stafit që të jenë gjatë gjithë ditës të qasshëm në Facebook, në mënyrë që t’u japim përgjigje të gjitha kërkesave të konsumatorit”, thotë Buzhala.

Sipas tij, varësisht nga kushtet e motit ndryshon edhe sasia e mesazheve dhe thirrjeve që pranohen nga konsumatorët.

“Në raste të motit të ligë, pranojmë me qindra mesazhe në ditë”, thotë ai.

Buzhala tregon se përafërsisht edhe 12 persona të tjerë punojnë edhe në Qendrën e Thirrjeve që është e qassshme 24 orë në ditë gjatë gjithë vitit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme