Aksionarët e spitalit privat “MIM”, Ardian Jusufi e Nexhat Rexha kanë marr në drejtim edhe spitalin publik të Gjakovës.
Pasi SHSKUK emëroi ushtrues detyre të drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Ardian Jusufi, ky i fundit ka emëruar shef në repartin e Urologjisë edhe bashkë aksionarin e tij Nexhat Rexhën, shkruan Gazeta Shneta.
Jusufi e Rexha janë bashkë aksionar në spitalin privat urologjik “MIM” në Gjakovë. Por përveç Rexhës, Jusufi e ka emëruar në pozitën e shefit të gjinekologjisë edhe dhëndrin e tij, gjinekologun Genc Macula.
Gazeta ka kontaktuar disa herë Rexhën, por i njëjti nuk është përgjigjur. Në telefonin e tij është përgjigjur dy herë një punonjëse e Spitalit MIM, e cila ka thënë se Rexha është i zënë dhe do të lajmërohet ndërkohë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Genc Macula ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë nuk ka të bëj me faktin se është dhëndër i drejtorit Jusufi. Ai ka thënë se do ta luftojnë mafinë që sipas tij ka qenë e instaluar më herët në spital.
“Jam më i vjetri në këtë repart dhe nëse e shikoni shkollimin tim mund ta shihni se nuk ka të bëj asgjë me faktin se jemi dhëndër e mik. Nuk kam dashur ta pranoj këtë detyrë, por dua t’i ndihmoj drejtorit me luftua mafinë dhe degradimin e shëndetësisë. Më herët nuk ka punuar laparaskopi për interesa personal, dhe ne duam t’i ndalim këto”, ka deklaruar Macula.
Krahas këtyre dyve, shef në repartin e Ortopedisë është emëruar edhe Selajdin Boshnjaku. Këtij të fundit para disa vitesh i ishte hequr licenca e punës për gjashtë muaj pasi kishte operuar gabim këmbën e djathtë, në vend se të operonte këmbën e majtë.
Për të gjitha këto emërime nuk ka pranuar të flas u.d. drejtori Ardian Jusufi. Gazeta ka dërguar pyetje në email adresën zyrtare të spitalit si dhe ka kontaktuar Jusufin përmes telefonit dhe platformës ‘Viber’, por i njëjti nuk ka dhënë sqarime.
Edhe Jusufi e Rexha ishin akuzuar për një rast në spitalin e tyre privat MIM. Sipas një hulumtimi të kryer nga Gazeta Blic në vitin 2016 pacientja N.P. kishte mbetur e palëvizshme pas një intervenimi që ishte kryer nga Jusufi e Rexha. Sipas familjarëve 65 vjeçarja Pozhegu, ishte operuar nga Rexha dhe Jusufi pa lejen e tyre dhe se që nga dita e operimit ajo nuk kishte mundur të ngritej në këmbë për asnjë çast.