Organet komunale të Prizrenit kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun e Biznesit në Lubizhdë të qytetit. Sipas kësaj kontrate, çmimi total i punëve do të jetë rreth 1 milion e 160 mijë euro.
Njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ku theksohet se kontrata është nënshkruar me grupin e operatorëve ekonomikë “Vëllezërit e Bashkuar” dhe “KAG Asphalt Company”. Aty shkruan se numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, prej të cilëve 1 është përzgjedhur si i përgjegjshëm. Tek pjesa e informacioneve mbi vlerën e kontratës, thuhet se vlera e përgjithshme e kontratës është 1.159.672.38 euro. “Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët: 1.159.672.38 euro. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë: 1.159.672.38 euro”, shkruan aty.
Ndërkaq te njoftimi për dhënie të kontratës të publikuar pak ditë më parë tek informacionet e tjera shkruan se grupi i operatorëve “Seferi-Co” dhe “R & Rukolli” kanë paraqitur tenderin në vlerë prej 896.951.35 eurosh, pastaj “Drini Company” ka ofertuar me tenderin në vlerë 1.586.304.20 euro dhe grupi i operatorëve “Vëllezërit e Bashkuar” dhe “KAG – Asphalt Company me 1.156.624.48 euro. Po ashtu, shkruan se me kontratë është shpërblyer grupi i operatorëve “Vëllezërit e Bashkuar” dhe “KAG – Asphalt Company” “në vlerë totale të ofertës pas korrigjimit të gabimeve: 1.159.672.38 euro”.
Komuna e Prizrenit në njërën pjesë të kontratës të publikuar në ueb faqen e saj zyrtare ka konfirmuar nënshkrimin me grupin e operatorëve të sipërpërmendur.