Prizreni ka nevojë për afro 90 zjarrfikës të rregullt

Prizren | 02 Maj 2017 | 10:03 | Nga

Autoritetet komunale të Prizrenit edhe këtë vit janë duke e vazhduar praktikën e angazhimit të përkohshëm të 20 punëtorëve sezonalë në Shërbimin Zjarrfikës, paralelisht me përsëritjen e ankesës se niveli qendror nuk po e lejon punësimin e numrit më të madh të zjarrfikësve të rregullt.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka shprehur qëndrimin se Njësia e zjarrfikësve në Prizren operon me burime njerëzore minimale, teksa në komunat e tjera Ekzekutivi qendror ka lejuar punësimin e numrit më të madh të zjarrfikësve të rregullt, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në Njësinë e zjarrfikësve në Prizren janë të punësuar vetëm 23 zjarrfikës të rregullt. Komuna e Prishtinës i ka 110 zjarrfikës të rregullt, derisa Gjakova që është sa lagjja e ‘Ortakollit’ në Prizren ka më tepër zjarrfikës të punësuar”, ka thënë Muja.

Zyrtarët lokalë tashmë disa vjet pohojnë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për rritjen e këtij numri, por që deri tashti nuk ka ndonjë përgjigje pozitive. Prandaj thonë se janë të detyruar që ta vazhdojnë punën me 23 zjarrfikës, ndërkohë që Prizreni ka nevojë edhe për 65 të tjerë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme