Prizreni 140 vjet më parë ishte shndërruar në qendrën e vendimmarrjes politike të shqiptarëve, ani pse administrativisht nuk e luante një rol të tillë në atë periudhë. Asokohe u krijua Besëlidhja, respektivisht Lidhja e Prizrenit, e cila sipas historianëve dhe studiuesve vuri themelet për krijimin e shtetit të Shqipërisë dhe më vonë të Kosovës.
Duke e pasur parasysh këtë fakt, javë më parë ligjvënësit e Kosovës në kuadër të Ligjit për Kryeqytetin e Kosovës – Prishtinën ia dhanë Prizrenit edhe epitetin e kryeqytetit historik, shkruan sot “Koha Ditore”. Por kryeqyteti historik, sipas banorëve aktivë të Prizrenit, mbetet nën hijen e Prishtinës dhe Tiranës, të cilat e eksploatojnë atë për mburrje patriotike, derisa në përditshmërinë e zakonshme e injorojnë dhe nuk ia kushtojnë vëmendjen e duhur.
Për këtë arsye prizrenasit konsiderojnë se kryeqendrat e shteteve shqiptare duhet të angazhohen që Prizrenit t’ia kthejnë dinjitetin që i takon dhe mos ta kujtojnë vetëm për lavde.
“Prizreni ka mbetur më tepër në lavde. Kur ka nevojë për emocione e për krenari me të kaluarën, atëherë shfrytëzohet e përmendet Prizreni”, ka thënë historiani Parim Kosova, i cili njëherësh është përgjegjës për Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ai konsideron se Prishtina e Tirana duhet të bëjnë shumë më shumë për qytetin historik. “Nga lavdet duhet të kalohet në vepra, që tregojnë kujdesin për Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, por edhe për vlerat e qytetit në përgjithësi”, ka deklaruar ai.