Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të enjten kanë miratuar vendimin për anëtarësim të Prizrenit në Unionin e Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon.
Me këtë rast drejtuesit e Komunës kanë theksuar se qëllimi i këtij Unioni është ndarja e përvojave, si dhe organizimi i ngjarjeve të përbashkëta mes qyteteve të rajonit, në të cilat ka popullatë shqiptare. Sipas tyre, takimet mes bashkive shqiptare kanë filluar më herët, porse tani kjo iniciativë joformale po zyrtarizohet përmes statutit dhe sekretariatit të Unionit, raporton KOHA.
Seanca e rregullt e Kuvendit ka nisur me debatin nëse ka kushte për punë sipas rekomandimeve të IKSHPK-së. Shefi i këshilltarëve të PDK-së, Simir Krasniqi, ka kërkuar që seanca mos të mbahet pasi kësisoj shkelen rekomandimet e institucioneve përgjegjëse lidhur me frenimin e përhapjes së COVID-19. Por homologu i tij nga VV-ja, Adem Shabanaj, ka theksuar se IKSHPKja ka dhënë rekomandim që mos të ketë tubime me mbi 50 persona dhe se KK-ja i ka 41 anëtarë. Në anën tjetër, këshilltarët e tjerë kanë theksuar se në sallë ka më shumë se 50 persona, marrë parasysh praninë e drejtorëve të Ekzekutivit dhe pjesëmarrësve të tjerë.
Shukri Quni i Nismës ka theksuar se për hir të përvjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 është dashur që të organizohet më mirë seanca e KKsë së Prizrenit. Ndërkaq këshilltari i AAK-së, Fatmir Kastrati, ka propozuar që pika dedikuar pyetjeve të këshilltarëve të hiqet nga rendi i ditës, me qëllim që të shkurtohet seanca. Ky propozim është miratuar nga shumica e kuvendarëve, që kanë aprovuar edhe rendin e ditës.
Në vijim të seancës është shqyrtuar anëtarësimi i Prizrenit në Unionin e Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon. Para këshilltarëve propozim-vendimin e ka arsyetuar kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.
“Nga viti i kaluar kemi filluar mbajtjen e takimeve të rregullta të Unionit të Komunave Shqiptare në Rajon. Sivjet është kyç edhe Tuzi. Prej Kosovës janë Prizreni dhe Prishtina, kemi Gostivarin e Tetovën, Preshevën, Tuzi, Tirana. Mos ta harroj edhe ndonjë qytet tjetër. Sivjet do të jetë edhe Cairi pjesë e këtij Unioni”, ka thënë ai. Sipas tij, ky Union synon përafrimin e komunave. “Qëllimi i Unionit është që të ndajmë eksperiencat tona mes qyteteve edhe të organizojmë ngjarje të përbashkëta”, ka deklaruar Haskuka.