Komuna e Prizrenit në vitin 2019 për investime kapitale ka shpenzuar 6 milionë euro më pak në raport me planifikimin që kishte bërë për këtë kategori buxhetore. Për përfaqësuesit e partive opozitare dhe aktivistët e shoqërisë civile në Prizren kjo shifër është tregues për performancë të pamjaftueshme të Ekzekutivit lokal për jetësimin e projekteve të planifikuara në buxhet.
Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave (DEF) në Komunën e Prizrenit ka mundësuar qasjen në raportin e saj të punës për periudhën janar-dhjetor 2019, ku ndër të tjera figuron se organet komunale për vitin e shkuar kanë planifikuar 21 milionë e 862 mijë euro për shpenzime kapitale, derisa deri në fund të vitit kanë shpenzuar 15 milionë e 642 mijë euro për këtë kategori, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas këtij raporti, përqindja e realizimit të shpenzimeve kapitale është 71.55 për qind në raport me planifikimin. Mirëpo DEF ende nuk ka shpalosur të dhënat mbi suficitin në buxhetin komunal të vitit 2019.
Në anën tjetër, kryetari i degës së PDK-së opozitare në Prizren, Shaqir Totaj, ka theksuar se Ekzekutivi komunal në njërën anë ka treguar neglizhencë, derisa në anën tjetër ka dëshmuar deficit të kapaciteteve menaxhuese për implementim të projekteve kapitale. Sipas tij, Qeverisë lokale i kanë tepruar disa milionë euro, ndërkohë që ajo nuk mund t’i jetësojë premtimet e dhëna.