Autoritetet komunale të Prizrenit kanë përsëritur qëndrimin se po kanë telashe me gjetjen e pronave publike për realizimin e investimeve kapitale, si pasojë e mungesës së tyre në zonën urbane.
Sipas drejtuesve të ekzekutivit komunal, kjo situatë po krijon vështirësi për ndërtimin e shkollave, ambulancave apo ndërtesave të tjera të karakterit publik. Ata kanë theksuar se lidhur me këtë çështje i janë drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim që këto asete në zonat urbane të mos privatizohen dhe të vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm publik, shkruan sot Koha Ditore.
Në anën tjetër qytetarë të lagjeve të ndryshme gjatë dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit komunal për vitin e ardhshëm kanë insistuar në realizimin e projekteve publike në vendbanimet e tyre.
Bejtullah Krasniqi nga lagja “Baruthane” ka shprehur qëndrimin se shumë shkolla janë ndërtuar pas luftës, por ka shtruar dilemën nëse lokacionet e tyre kanë qenë të qëlluara.