Komuna e Prizrenit vitin e shkuar nuk ka arritur t‘i shpenzojë mbi 3.5 milionë euro nga granti qeveritar, të cilat kanë shkuar në suficit. Kjo shumë është më e lartë se suficiti në vitin 2018, që ka qenë afro 2.4 milionë euro.
Monitoruesit nga radhët e shoqërisë civile rritjen e shumës së suficitit nga granti qeveritar e kanë cilësuar si dështim të qeverisë lokale në planifikim dhe menaxhim në sektorë të caktuar, shkruan KOHA.
Njëherësh kanë shprehur qëndrimin se raporti financiar vjetor është dashur të publikohet më herët, dhe se Kuvendi i Komunës ka dështuar në kërkimin e llogaridhënies nga ekzekutivi lokal lidhur me çështjet financiare.
Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave (DEF) në Komunën e Prizrenit ka mundësuar qasjen në raportin financiar të vitit 2019, ku shkruan se nga granti qeveritar 3 milionë e 586 mijë euro kanë shkuar në suficit.
“Granti qeveritar deri në fund të vitit 2019 është alokuar në shumën prej 37.974.318 eurosh, apo 99% e shumës së planifikuar për tërë vitin. Shuma e shpenzuar nga ky burim i buxhetit komunal është 34.815.743 euro ose 91% e shumës së paraparë për vitin 2019. Pjesa e mbetur e mjeteve prej 3.586.124 eurosh ose 9% nga shuma e planifikuar shkon në suficit”, thuhet në këtë raport. Aty gjithashtu sqarohet se në vitin 2018 nga granti qeveritar “shuma prej 2.398.059 eurosh ka shkuar në suficit”.