Problemet përbrenda Bashkimit Evropian janë bërë shkas që integrimi i Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, të rangohet si dytësor në Bruksel.
Analistët vlerësojnë se proceset integruese janë stopuar, ndërsa Ministria e Integrimit Evropian e pranon se procesi i liberalizimit po dëmtohet shumë nga refleksionet e brendshme në BE.
Sfida me numrin e madh të refugjatëve dhe frika nga terrorizimi kanë trazuar jo pak Bashkimin Evropian, shkruan “Zëri”.
Ndërsa referendumi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja i ka dridhur themelet e këtij institucioni, i cili llogaritet ekonomia më e madhe në botë. Euro-skepticizmi është në rritje e sipër ndërsa tani janë edhe zyrtarë të rëndësishëm të cilët pranojnë se ky institucion edhe mund të shpërbëhet.
“Po, Bashkimi Evropian mund të dështojë. Nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, BE-ja mund të shpërbëhet”, ka thënë së fundmi presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në një intervistë për “Allgemeine Zeitung”.
E sipas Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës, pasojat pritet t’i ndiejë edhe Kosova në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, përkatësisht për fazën finale, ku vendimi është politik.
Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se këto probleme janë shfaqur në një periudhë shumë të keqe për Kosovën pasi që BE-ja aktualisht ka ndaluar procesin e zgjerimit.