Problemet me furnizim, KRU “Prishtina” njofton për turbullimin e ujit në kanalin e Ibër-Lepencit

Prishtinë | 22 Nën 2022 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU “Prishtina”), ka njoftuar për gjendjen me turbullimin e ujit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe zgjidhjet alternative për furnizim.

“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditët të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër-Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në Shkabaj. Si shkak i kësaj, kemi rritje të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Kjo kompani ka njoftuar se impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj, është jashtë funksionit, ngaqë niveli i turbullirës në kanalin e Ibrit vazhdon të jetë i lartë.

KRU “Prishtina” ka njoftuar se brenda 24 orëve kanë arritur të realizojmë një zgjidhje alternative të përkohshme, deri në stabilizimin e nivelit të tubullirës në kanalin e Ibrit.

“Pas një periudhe pesë vjeçare, kemi riaktivizuar gypin e çelikut me diametër fi 400 mm dhe gjatësi 2 km nga rezervuari i Arbërisë (i cili mbushet me ujë nga Impianti i Trajtimit të Ujit Albanik/Batllavë) deri në rezervuarin në Shkabaj, që më pas të shpërndahet një sasi e ujit, që sado pak të e zbusë situatën e furnizimit me ujë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit lagjja” Kalabria” në Prishtinë dhe komuna e Obiliqit, tashmë kanë furnizim me ujë të pijshëm, përmes zgjidhjeve alternative.

Sipas njoftimit Fushë – Kosova do të ketë furnizim me ujë sot (e marte), duke filluar nga ora 17:00-22:00 dhe nesër nga ora 06:00-09:00, deri në stabilizimin e situatës me turbullirë në kanal.

“Drenasi është në pozicion jo të mirë, pasi që nuk ka ndonjë alternativë tjetër, përveçse ujin fillestar për trajtim në stacionin e pompave në Bivolak e merr direkt nga kanali i Ibër – Lepencit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit autocisternat janë të fokusuara në Drenas dhe Fushë – Kosovë.

KRU “Prishtina”, ka apeluar për shpenzim racional të ujit të pijshëm, në mënyrë që ujë të kenë edhe katet e larta të ndërtesave në zonat e lartcekura.

Të ngjashme