Teksa ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së dhe presim trupin gjykues për marrjen dhe shpalljen publike të vendimit, ky proces, së bashku me epilogun e tij, bart një peshë të jashtëzakonshme në shumë dimensione.
1. Në bankën e të akuzuarve ndodhet një kapitull i tërë i historisë sonë
Ky proces nuk ka të bëjë thjesht me katër individë. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ata akuzohen në cilësinë e udhëheqësve të UÇK-së. Ky fakt e shtrin debatin përtej përgjegjësisë individuale dhe e prek vetë karakterin si dhe qëllimin e luftës çlirimtare.
Në thelb, në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm katër emra të përveçëm, por një kapitull i tërë i historisë sonë.
2. Tentativa për ta rishkruar historinë
Narrativa e ndërtuar nga aktakuza synon ta paraqesë UÇK-në jo si organizatë guerile me qëllim çlirimin e vendit, por si “ndërmarrje të përbashkët kriminale” me synim marrjen e pushtetit dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Një qasje e tillë nuk prek vetëm fatin e të akuzuarve; ajo rrezikon të transformojë perceptimin mbi luftën, duke e zhvendosur nga një përpjekje për liri në një projekt të organizuar kriminal.
Përmes kësaj narrative tentohet të rishkruhet historia, pikërisht pjesa më e lavdishme e saj.
Sot, pjesa më e lavdishme e historisë sonë ndodhet në duart e tre gjyqtarëve.
3. Vendimi i prek themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë
Në vendimin e tyre gërshetohen e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë. Aty përballen sakrifica e një populli, legjitimiteti i rezistencës dhe mesazhi që do t’u dërgohet brezave që vijnë.
Impakti i këtij procesi mund të shkojë edhe më tej. Një qasje e padrejtë apo një pranim i kësaj narrative mund të përdoret për të delegjitimuar jo vetëm luftën çlirimtare, por edhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, madje edhe vetë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Prandaj, pesha e këtij vendimi tejkalon kufijtë e sallës së gjyqit, ai prek themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
4. Vendimi është test dhe referencë për drejtësinë ndërkombëtare
Vendimi i drejtë në këtë proces është test për drejtësinë ndërkombëtare dhe për standardin me të cilin trajtohen organizimet dhe luftërat çlirimtare.
Drejtësia duhet të mbështetet në prova, në parimin e përgjegjësisë individuale dhe në vlerësim të paanshëm të fakteve, pa u shndërruar në gjykim të historisë apo në deformim përkatësisht rishkrimin e saj.
Fundja, drejtësia e vërtetë nuk është rishkrim i së kaluarës, por vendosje e së vërtetës mbi baza të forta ligjore.
Ky proces do të mbetet pikë reference për mënyrën se si do të trajtohet historia jonë në të ardhmen, por edhe si do të trajtohet lufta dhe e drejta e popujve për të qenë të lirë.