Procesi i kompensimit të ish-të dënuarve politikë ende po vazhdon, edhe pse ka filluar nga viti 2013.
Sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish-të dënuarve politikë, Shefik Sadiku, tha për Ekonomia Online se disa aplikime ende nuk janë përfunduar, për shkak të vonesave në dorëzimin e dokumenteve.
“Që në vitin 2013 ky proces ka filluar dhe ende vazhdon. Të gjitha qeveritë që kanë qenë 2013 e këndej, kryeministër në atë kohë Hashim Thaçi, i ndanë 55 milionë euro dhe kanë vazhduar pastaj 2016 e këndej. Janë ndërruar qeveritë dhe kemi mbërritur deri tek qeveria aktuale. Ka pasur ngapak ngecje, megjithatë procesi është në vazhdim e sipër”, tha Sadiku.
Ai shpjegoi se kompensimi ka përfshirë edhe familjet e ish-të dënuarve politikë të vdekur dhe ata që jetojnë jashtë vendit.
“Disa ish- të dënuar kanë aplikuar, por nuk i kanë plotësuar dokumentet me kohë, që do të dëshmonin burgosjen e tyre ose i kanë plotësuar me vonesë. Tani janë duke u kompensuar ish- të dënuarit politikë të vdekur që gratë i kanë gjallë, por edhe një kategori që janë ende në botën e jashtme”, tha ai.
Procesi vazhdon për të ish – dënuarit që kanë kaluar mbi 60 ditë burg, ndërsa ata që janë dënuar më pak se 60 ditë u njihet statusi si ish-burgosur politik.
Sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish-të dënuarve politikë, Shefik Sadiku,
tha se ky komisioni po vazhdon punën për të përfunduar këtë proces të rëndësishëm.
“Aplikacioni duhet të plotësohet për të burgosurit dhe qeveria i konstaton. Ligji i përcakton tri kategori: të dënuarit politikë, të burgosurit politikë dhe të përndjekurit politikë”, tha Sadiku./Ekonomia Online/