Prodhuesit që ekspozojnë produktet në Tregun Mobil, të kënaqur me shitjen

Prishtinë | 09 Gus 2023 | 09:48 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prodhuesit vendës po vazhdojnë që prodhimet e tyre t’i shesin në Tregun Mobil në kryeqytet. Tregu është i vendosur në tri lokacione në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, sheshin “Adem Jashari” e bulevardin “Bill Klinton”, raporton Ekonomia Online.

Në treg shiten pemë, perime e prodhime të tjera nga fermerët e komunës së Prishtinës dhe komunave fqinje.

Ismet Arifi, bujk nga Rimanishta, u shpreh falënderues ndaj Bashkimit Evropian dhe Komunës së Prishtinës për mbështetjen që u kanë dhënë në mënyrë që produktet e tyre t’i ekspozojnë në këto tri hapësira.

Ai ka thënë se së martën e të mërkurën rregullisht dalin në treg dhe se shitja është shumë e mirë.  Arifi u shpreh se po të mos ishte ky treg prodhimet e tyre do të shkonin dëm.

“Ky treg është Treg Mobil i organizuar nga BE-ja në fillim, e në kohët e fundit komuna e ka marrë. BE-ja është tërhequr prej tij, e tregu na ka ndihmuar shumë. Këto janë prodhime tonat vendore të cilat i sjellim për t’i shitur si prodhues prej fshatrave tona këtu. Ky është organizim që mbahet të marteve dhe të mërkurave. Të martave jemi në shesh e nesër tek Bill Klintoni”.

“Kjo është një ndihmë e madhe prej komunës e përmes tij kemi mundur që prodhimet tona t’i plasojmë e t’i shesim këtu. Po të mos ishte tregu këto prodhime tonat s’do mundeshim askund t’i shesim, do na prisheshin, do na shkonin kot. E këtu po i shesim. Tendat na i ka financuar BE-ja. Këto janë falas, nuk paguajmë asgjë për to”, u shpreh Arifi.

Ndërkohë një prodhues tjetër nga Llupçi i Poshtëm i Podujevës, Gëzim Demaçi tha se plasimi i produketeve në këtë treg u ka mundësuar që të rrisin prodhimin, raporton EO.

“Unë edhe pse jam prej një komune tjetër, vij prej Podujevës, jam prej Lupçit të Poshtëm. I jam falënderues Komunës së Prishtinës qysh prej 2015-ës filluam të jemi në këtë treg dhe jam shumë i kënaqur”.

“Kemi filluar atëherë me sasi shumë më të vogël, por çdo vit kemi rritur prodhimin dhe sipërfaqen te mbjellja e tokës”, tha Demaçi për Ekonomia Online.

Të ngjashme