Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike të saj do të ketë një përfaqësues në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Kryediplomatja shqiptare thotë se një gjë të tillë ia ka konfirmuar në takim, Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë.
Njoftimi i plotë:
Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë ma konfirmoi gjatë takimit Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Mattheë Palmer.
Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare e diplomatike, mbetet përkushtim i përbashkët yni.
Diskutuam me z.Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.